Luka 24:27-44 Bibla Shqip (ALBB)

27. Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

28. Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

29. Por ata e detyruan duke thënë: ''Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron''. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.

30. Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

31. Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.

32. Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: ''Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?''.

33. Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.

34. Ata thoshin: ''Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit''.

35. Ata atëherë treguan ç'u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.

36. Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!''.

37. Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.

38. Atëherë ai u tha atyre: ''Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?

39. Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!''.

40. Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.

41. Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: ''A keni këtu diçka për të ngrënë?''.

42. Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.

43. Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.

44. Pastaj u tha atyre: ''Këto janë fjalët që unë ju thosha kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet''.

Luka 24