Luka 24:15-27 Bibla Shqip (ALBB)

15. Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.

16. Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.

17. Dhe ai u tha atyre: ''Ç'janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?''.

18. Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ''Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?''.

19. Dhe ai u tha atyre: ''Cilat?''. Ata i thanë: ''Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.

20. Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.

21. Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithëkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.

22. Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,

23. dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë një vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.

24. Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë''.

25. Atëherë ai u tha atyre: ''Të pamend dhe të ngjathët në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

26. Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?''.

27. Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

Luka 24