Luka 23:36-49 Bibla Shqip (ALBB)

36. Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,

37. dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten''.

38. Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE".

39. Tani një nga keqbërësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''.

40. Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?

41. Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''.

42. Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''.

43. Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''.

44. Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.

45. Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.

46. Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma.

47. Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''.

48. Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.

49. Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galileja qëndronin larg, duke parë këto gjëra.

Luka 23