Luka 23:28-37 Bibla Shqip (ALBB)

28. Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.

29. Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpa dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".

30. Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!".

31. Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?".

32. Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë.

33. Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.

34. Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.

35. Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''.

36. Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,

37. dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten''.

Luka 23