Luka 23:12-23 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.

13. Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,

14. dhe u tha atyre: ''Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,

15. dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s'ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.

16. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.

17. Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.

18. Por ata, të gjithë njëzëri, bërtitën duke thënë: ''Vraje këtë dhe na liro Baraban''.

19. Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.

20. Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.

21. Por ata bërtitnin duke thënë: ''Kryqëzoje!''.

22. Për të tretën herë ai u tha atyre: ''Po ç'të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.

23. Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.

Luka 23