1. Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.
2. Dhe filluan ta paditin duke thënë: ''Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t'i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti''.
3. Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Ti po thua''.
4. Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: ''Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri''.
5. Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: ''Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galileja e deri këtu''.
6. Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte galileas.
7. Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.
8. Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.
9. Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.
10. Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.
11. Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyeu dhe e talli, e veshi me një rrobë të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.
12. Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.