43. Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t'i dhënë forcë.
44. Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.
45. Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,
46. dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''.
47. Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.
48. Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''.
49. Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''.
50. Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
51. Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.
52. Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?
53. Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''.
54. Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.