39. Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.
40. Kur arriti në vend, u tha atyre: ''Lutuni që të mos hyni në tundim''.
41. Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunjë dhe lutej,
42. duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''.
43. Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t'i dhënë forcë.
44. Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.
45. Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,
46. dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''.
47. Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.
48. Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''.
49. Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''.
50. Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
51. Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.
52. Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?
53. Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''.
54. Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.
55. Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.
56. Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: ''Edhe ky ishte me të''.
57. Por ai e mohoi duke thënë: ''O grua, nuk e njoh''.
58. Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: ''Edhe ti je nga ata''. Por Pjetri tha: ''O njeri, nuk jam''.