11. I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".
12. Atëherë ai do t'ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet''.
13. Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.
14. Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkë me të dymbëdhjetë apostujt.
15. Atëherë ai u tha atyre: ''Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj,
16. sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë''.
17. Pastaj mori kupën, falënderoi, dhe tha: ''Merreni këtë dhe ndajeni midis jush,
18. sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë''.
19. Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.
20. Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.
21. Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë.
22. Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhtuar!''.
23. Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.
24. Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.
25. Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.
26. Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.
27. Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.
28. Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.
29. Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,
30. që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.