19. I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj''.
20. Pastaj tha përsëri: ''Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
21. Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli derisa të mbruhet i gjithë''.
22. Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.
23. Dhe një njeri e pyeti: ''Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?''. Ai u tha atyre:
24. ''Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.
25. Kur i zoti i shtëpisë është çuar dhe ka mbyllur derën, ju atëherë, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë duke thënë: "Zot, Zot, na e hap". Por ai, duke u përgjigjur, do të thotë: "Nuk e di nga vini".
26. Atëherë do të filloni të thoni: "Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër rrugët tona".
27. Por ai do thotë: "Unë po ju them se nuk di nga vini; largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi".
28. Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju do të dëboheni përjashta.
29. Dhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë.
30. Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit''.
31. Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: ''Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë''.
32. Dhe ai u përgjigj atyre: ''Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime".
33. Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit.
34. Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t'i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!