15. Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: ''Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?
16. A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?''.
17. Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.
18. Atëherë ai tha: ''Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj?
19. I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj''.
20. Pastaj tha përsëri: ''Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
21. Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli derisa të mbruhet i gjithë''.
22. Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.
23. Dhe një njeri e pyeti: ''Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?''. Ai u tha atyre:
24. ''Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.