Luka 11:32-44 Bibla Shqip (ALBB)

32. Niniveasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona''.

33. Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babune, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.

34. Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.

35. Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.

36. Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj''.

37. Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.

38. Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.

39. Dhe Zoti i tha: ''Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.

40. Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?

41. Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.

42. Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t'i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.

43. Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.

44. Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njerëzit ecin sipër tyre, pa e ditur''.

Luka 11