Luka 10:18-26 Bibla Shqip (ALBB)

18. Dhe ai u tha atyre: ''Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.

19. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t'ju dëmtojë.

20. Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej''.

21. Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frymë dhe tha: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.

22. Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t'ia zbulojë''.

23. Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: ''Lum sytë që shohin ato që shihni ju,

24. sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan''.

25. Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: ''Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''.

26. Dhe ai tha: ''Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?''.

Luka 10