Luka 1:39-54 Bibla Shqip (ALBB)

39. Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë,

40. dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën.

41. Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë,

42. dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: ''Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.

43. Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?

44. Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.

45. Tani, e lum është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!''.

46. Dhe Maria tha: ''Shpirti im e madhëron Zotin,

47. dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,

48. sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,

49. sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!

50. Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.

51. Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;

52. i përmbysi pushtetarët nga fronet e tyre dhe i ngriti të përulurit;

53. i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.

54. Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,

Luka 1