17. Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t'i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t'ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë''.
18. Dhe Zakaria i tha engjëllit: ''Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë''.
19. Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: ''Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira.
20. Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre''.
21. Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit.
22. Por, kur doli, nuk mundi t'u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë.
23. Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet.
24. Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte:
25. ''Ja ç'më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve''.
26. Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,
27. te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.
28. Dhe engjëlli hyri tek ajo dhe tha: ''Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë''.
29. Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.
30. Dhe engjëlli i tha: ''Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.
31. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jezus.
32. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij;
33. dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur''.
34. Dhe Maria i tha engjëllit: ''Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?''.