1. Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë,
2. ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës,
3. m'u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t'i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil,
4. që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.
5. Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë.
6. Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit.
7. Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpë, dhe të dy ishin të kaluar në moshë.
8. Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet,
9. sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin.
10. Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit.
11. Atëherë një engjëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit.
12. Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika.
13. Por engjëlli i tha: ''Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t'ia vësh emrin Gjon.