Ligji i Përtërirë 9:18-28 Bibla Shqip (ALBB)

18. Pastaj u shtriva përpara Zotit, si herën e parë, dyzet ditë dhe dyzet net me radhë; nuk hëngra bukë as piva ujë për shkak të mëkateve që kishit kryer, duke bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, për të provokuar zemërimin e tij.

19. Sepse unë kisha frikë nga zemërimi dhe nga tërbimi me të cilët Zoti ishte ndezur kundër jush, aq sa dëshironte shkatërrimin tuaj. Por Zoti edhe këtë herë më dëgjoi.

20. Dhe Zoti u zemërua shumë gjithashtu kundër Aaronit, aq sa donte ta shkatërronte atë; kështu atë herë unë u luta edhe për Aaronin.

21. Pastaj mora objektin e mëkatit tuaj, viçin që kishit bërë, e dogja në zjarr, e copëtova dhe e thërrmova në copa shumë të vogla, derisa e katandisa në pluhur të hollë, dhe e hodha pluhurin në përruan që zbret nga mali.

22. Edhe në Taberah, në Masa dhe në Kibroth-Atavah ju provokuat zemërimin e Zotit.

23. Kur pastaj Zoti ju nisi jashtë Kadesh-Barneas duke thënë: "Ngjituni dhe shtini në dorë vendin që ju dhashë", ju ngritët krye kundër Zotit, Perëndisë tuaj, nuk i besuat dhe nuk iu bindët zërit të tij.

24. U bëtë rebelë kundër Zotit, qysh nga dita që ju kam njohur.

25. Kështu mbeta përmbys para Zotit dyzet ditë dhe dyzet net; dhe e bëra këtë sepse Zoti kishte thënë se donte t'ju shkatërronte.

26. Dhe iu luta Zotit, dhe i thashë: "O Zot, o Zot, mos e shkatërro popullin tënd dhe trashëgiminë tënde, që i ke çliruar me madhështinë tënde, që i nxore nga Egjipti me një dorë të fuqishme.

27. Kujto shërbëtorët e tu: Abrahamin, Isakun dhe Jakobin; mos shiko kokëfortësinë e këtij populli, ligësinë ose mëkatin e tij,

28. me qëllim që vendi prej ku i nxore të mos thotë: Me qenë se Zoti nuk ishte në gjendje t'i fuste në tokën që u kishte premtuar dhe me qenë se i urrente, i nxori që të vdesin në shkretëtirë.

Ligji i Përtërirë 9