Ligji i Përtërirë 32:15-27 Bibla Shqip (ALBB)

15. Por Jeshuruni u majm dhe kundërshtoi (je bërë i majmë, i trashë dhe i dhjamur); braktisi Perëndinë që e ka bërë dhe përçmoi Shkëmbin e shpëtimit të tij.

16. Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme.

17. U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën.

18. Ke lënë pas dore Shkëmbin që të ka pjellë dhe ke harruar Perëndinë që të ka formuar.

19. Por Zoti e pa këtë dhe i hodhi poshtë, për shkak të provokimit të bijve të tij dhe të bijave të tij,

20. dhe tha: "Unë do t'u fsheh atyre fytyrën time dhe do të shoh cili do të jetë fundi i tyre, sepse janë një brez i degjeneruar, bij tek të cilët nuk ka fare besnikëri.

21. Ata më kanë bërë ziliqar me atë që nuk është Perëndi, kanë provokuar zemërimin tim me idhujt e tyre të kotë; dhe unë do t'i bëj ziliqarë me njerëz që nuk janë një popull, do të ngacmoj smirën e tyre me një komb që s'është në vete.

22. Sepse një zjarr është ndezur gjatë zemërimit tim dhe ka për të djegur pjesët më të thella të Sheolit; do të gllabërojë tokën dhe prodhimet e saj dhe do t'u vërë zjarrin themeleve të maleve.

23. Unë do të mbledh mbi ta mjerime, do t'i mbaroj shigjetat e mia kundër tyre.

24. Ata do të veniten nga uria, do të përpihen nga një vapë djegëse dhe nga një murtajë e tmerrshme; do të dërgoj kundër tyre dhëmbët e kafshëve të egra, me helmin e gjarpërinjve që hiqen zvarrë nëpër pluhur.

25. Nga jashtë shpata do t'i privojë nga fëmijët, nga brenda terrori, duke shkaktuar njëkohësisht vdekjen e të riut dhe të virgjëreshës, të foshnjës së gjirit dhe të plakut të thinjur.

26. Unë kam thënë: "Do t'i fshij një herë e mirë, do të zhduk kujtimin e tyre në mes të njerëzve",

27. por i trembem provokimit të armikut, sepse kundërshtarët e tyre, duke interpretuar keq situatën, mund të thonë: "Triumfoi dora jonë dhe jo Zoti i cili ka bërë tërë këto gjëra!".

Ligji i Përtërirë 32