6. Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë, mos u trembni prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur".
7. Pastaj Moisiu thirri Jozueun dhe i tha në prani të të gjithë Izraelit: "Qofsh i fortë dhe trim, sepse ti do të hysh bashkë me këtë popull në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tyre, dhe ti do t'ua japësh atyre si trashëgimi
8. Përveç kësaj Zoti vetë ecën para teje; ai do të jetë me ty; nuk do të të lërë dhe s'ka për të të braktisur; mos u tremb dhe mos u tmerro".
9. Kështu Moisiu e shkroi këtë ligj dhe ia dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbajnë arkën e besëlidhjes të Zotit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.
10. Pastaj Moisiu i urdhëroi ata, duke thënë: "Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktuar si vit i faljes, në festën e Kasolleve,
11. kur tërë Izraeli do të vijë të paraqitet përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve.
12. Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji,
13. kështu që bijtë e tyre që akoma nuk e njohin, të dëgjojnë Zotin, Perëndinë tuaj, dhe të kenë frikë prej tij, për të gjithë kohën që do të jetoni në vendin që ju po hyni ta pushtoni, duke kaluar Jordanin".
14. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ja, dita e vdekjes sate po afrohet; thirr Jozueun dhe paraqituni në çadrën e mbledhjes me qëllim që të mund t'i jap urdhrat e mia". Moisiu dhe Jozueu shkuan, pra, të paraqiten në çadrën e mbledhjes.
15. Dhe Zoti u paraqit në çadër në një shtyllë reje; dhe shtylla e resë u ndal në hyrjen e çadrës.
16. Dhe Zoti i tha Moisiut: "Ja, ti do të shkosh të flesh bashkë me etërit e tu; dhe ky popull do të çohet dhe do të kurvërohet duke shkuar pas perëndive të huaja të vendit në mes të të cilit po shkon; dhe do të më braktisë mua dhe do të shkelë besëlidhjen që kam lidhur me të.
17. Dhe atë ditë zemërimi im do të ndizet kundër tyre; unë do t'i braktis dhe do t'u fsheh fytyrën time, dhe do të përpihen. Shumë të këqija dhe fatkeqësi do t'u bien përsipër; dhe atë ditë ata do të thonë: "Këto të këqija na kanë zënë ndofta sepse Perëndia ynë nuk është në mes nesh?".
18. Atë ditë unë do ta fsheh me siguri fytyrën time për shkak të tërë të këqijave që ata kanë bërë, duke iu drejtuar perëndive të tjera.
19. Tani shkruajeni për ju këtë kantik dhe mësojuani bijve të Izraelit; vëreni në gojën e tyre, me qëllim që ky kantik të më shërbejë si dëshmi kundër bijve të Izraelit.
20. Kur t'i kem futur në vendin, që u premtova etërve të tyre me betim, aty ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, dhe ata të kenë ngrënë, të jenë ngopur dhe të kenë vënë dhjamë, atëherë do t'u drejtohen perëndive të tjera për t'i shërbyer, dhe do të përçmojnë dhe do të shkelin besëlidhjen time.