Ligji i Përtërirë 31:22-30 Bibla Shqip (ALBB)

22. Kështu Moisiu e shkroi atë ditë këtë kantik dhe ua mësoi bijve të Izraelit.

23. Pastaj i dha urdhrat e tij Jozueut, birit të Nunit dhe i tha: "Të jesh i fortë dhe trim, sepse ti do t'i futësh bijtë e Izraelit në vendin që u kam premtuar me betim; dhe unë do të jem me ty".

24. Kur Moisiu mbaroi së shkruari në një libër tërë fjalët e këtij ligji,

25. u dha këtë urdhër levitëve që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit, duke thënë:

26. "Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mbetet si një dëshmi kundër teje;

27. sepse unë e njoh frymën tënde rebele dhe fortësinë e qafës sate. Ja, sot kur akoma jam i gjallë midis jush, ju u bëtë rebelë kundër Zotit; aq më tepër do të bëheni mbas vdekjes sime!

28. Mblidhni pranë meje të gjithë pleqtë e fiseve tuaja dhe zyrtarët tuaj, me qëllim që të dëgjojnë këto fjalë dhe unë të thërras të dëshmojnë kundër tyre qiellin dhe tokën.

29. Sepse unë e di që, mbas vdekjes sime, do të korruptoheni plotësisht dhe do të largoheni nga rruga që ju kam urdhëruar, dhe ditët e fundit do të goditeni nga fatkeqësia, sepse keni për të bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, duke provokuar indinjatën e tij me veprën e duarve tuaja".

30. Kështu Moisiu, në veshët e të gjithë asamblesë së Izraelit, shqiptoi fjalët e këtij kantiku deri në fund.

Ligji i Përtërirë 31