Ligji i Përtërirë 31:2-15 Bibla Shqip (ALBB)

2. dhe u tha banorëve të tij: "Unë jam sot njëqind e njëzet vjeç, nuk mundem më të hyj dhe të dal; përveç kësaj Zoti më ka thënë: "Ti nuk do ta kalosh Jordanin".

3. Zoti, Perëndia yt, do të kalojë ai vetë para teje, dhe do të shkatërrojë para teje këto kombe, dhe ti do t'i shpronësosh; vetë Jozueu do të kalojë para teje, siç e ka thënë Zoti.

4. Dhe Zoti do t'u bëjë atyre atë që u bëri Sihonit dhe Ogut, mbretit të amorenjve, dhe vendit të tyre, kur i shkatërroi.

5. Zoti do t'i kalojë në pushtetin tuaj dhe ju do t'i trajtoni sipas të gjitha urdhrave që ju kam dhënë.

6. Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë, mos u trembni prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur".

7. Pastaj Moisiu thirri Jozueun dhe i tha në prani të të gjithë Izraelit: "Qofsh i fortë dhe trim, sepse ti do të hysh bashkë me këtë popull në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tyre, dhe ti do t'ua japësh atyre si trashëgimi

8. Përveç kësaj Zoti vetë ecën para teje; ai do të jetë me ty; nuk do të të lërë dhe s'ka për të të braktisur; mos u tremb dhe mos u tmerro".

9. Kështu Moisiu e shkroi këtë ligj dhe ia dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbajnë arkën e besëlidhjes të Zotit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.

10. Pastaj Moisiu i urdhëroi ata, duke thënë: "Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktuar si vit i faljes, në festën e Kasolleve,

11. kur tërë Izraeli do të vijë të paraqitet përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve.

12. Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji,

13. kështu që bijtë e tyre që akoma nuk e njohin, të dëgjojnë Zotin, Perëndinë tuaj, dhe të kenë frikë prej tij, për të gjithë kohën që do të jetoni në vendin që ju po hyni ta pushtoni, duke kaluar Jordanin".

14. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ja, dita e vdekjes sate po afrohet; thirr Jozueun dhe paraqituni në çadrën e mbledhjes me qëllim që të mund t'i jap urdhrat e mia". Moisiu dhe Jozueu shkuan, pra, të paraqiten në çadrën e mbledhjes.

15. Dhe Zoti u paraqit në çadër në një shtyllë reje; dhe shtylla e resë u ndal në hyrjen e çadrës.

Ligji i Përtërirë 31