1. Moisiu shkoi dhe u drejtoi edhe këto fjalë tërë Izraelit,
2. dhe u tha banorëve të tij: "Unë jam sot njëqind e njëzet vjeç, nuk mundem më të hyj dhe të dal; përveç kësaj Zoti më ka thënë: "Ti nuk do ta kalosh Jordanin".
3. Zoti, Perëndia yt, do të kalojë ai vetë para teje, dhe do të shkatërrojë para teje këto kombe, dhe ti do t'i shpronësosh; vetë Jozueu do të kalojë para teje, siç e ka thënë Zoti.
4. Dhe Zoti do t'u bëjë atyre atë që u bëri Sihonit dhe Ogut, mbretit të amorenjve, dhe vendit të tyre, kur i shkatërroi.
5. Zoti do t'i kalojë në pushtetin tuaj dhe ju do t'i trajtoni sipas të gjitha urdhrave që ju kam dhënë.
6. Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë, mos u trembni prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur".
7. Pastaj Moisiu thirri Jozueun dhe i tha në prani të të gjithë Izraelit: "Qofsh i fortë dhe trim, sepse ti do të hysh bashkë me këtë popull në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tyre, dhe ti do t'ua japësh atyre si trashëgimi
8. Përveç kësaj Zoti vetë ecën para teje; ai do të jetë me ty; nuk do të të lërë dhe s'ka për të të braktisur; mos u tremb dhe mos u tmerro".
9. Kështu Moisiu e shkroi këtë ligj dhe ia dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbajnë arkën e besëlidhjes të Zotit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.
10. Pastaj Moisiu i urdhëroi ata, duke thënë: "Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktuar si vit i faljes, në festën e Kasolleve,
11. kur tërë Izraeli do të vijë të paraqitet përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve.