Ligji i Përtërirë 21:15-21 Bibla Shqip (ALBB)

15. Në qoftë se një burrë ka dy gra, dhe njërën e dashuron dhe tjetrën e urren, dhe si e dashuruara ashtu dhe ajo e urryera i kanë lindur fëmijë, në rast se i parëlinduri është fëmija e gruas së urryer,

16. ditën që u lë me testament pasurinë që zotëron bijve, nuk mund t'i shënojë të drejtën e paralindjes djalit të gruas që dashuron duke e preferuar nga djali i gruas që urren që është i parëlinduri;

17. por do të njohë si të parëlindur djalin e gruas së urryer, duke i dhënë një pjesë të dyfishtë të të gjitha atyre që zotëron; sepse ai është prodhimi i parë i fuqisë së tij dhe atij i përket e drejta e paralindjes.

18. Në qoftë se një burrë ka një fëmijë kokëfortë dhe rebel që nuk i bindet as zërit të babait, as atij të nënës dhe megjithëse e kanë ndëshkuar, nuk u bindet atyre,

19. i ati dhe e ëma do ta marrin dhe do ta çojnë te pleqtë e qytetit të tij, në portën e vendit ku banon,

20. dhe do t'u thonë pleqve të qytetit: "Ky biri ynë është kokëfortë dhe rebel; nuk do t'i bindet zërit tonë; është grykës dhe pijanec".

21. Atëherë tërë banorët e qytetit të tij do ta vrasin me gurë dhe ai ka për të vdekur; kështu do të çrrënjosësh të keqen nga mesi yt, tërë Izraeli do ta mësojë dhe do të ketë frikë.

Ligji i Përtërirë 21