11. Edhe këta konsideroheshin gjigantë, ashtu si anakimët; por moabitët i quanin emimë.
12. Seiri banohej në fillim nga horenjtë; por pasardhësit e Esaut i dëbuan, i shkatërruan dhe u vendosën në vendin e tyre, ashtu si ka bërë Izraeli në vendin që zotëron dhe që i ka dhënë Zoti).
13. Tani çohuni dhe kaloni përroin e Zeredit". Kështu ne kapërcyem përroin e Zeredit.
14. Koha e nevojshme për të arritur nga Kadesh-Barnea deri në kalimin e përroit të Zeredit, ishte tridhjetë e tetë vjet, derisa tërë brezi i luftëtarëve të zhdukej plotësisht nga kampi, ashtu si u qe betuar atyre Zoti.
15. Në fakt dora e Zotit qe kundër tyre për t'i asgjësuar nga kampi, derisa të zhdukeshin.
16. Kështu, kur luftëtari i fundit vdiq në mes të popullit,
17. Zoti më foli duke thënë:
18. "Sot ti po bëhesh gati të kalosh kufirin e Moabit në Ar;
19. por duke iu afruar bijve të Amonit, mos i sulmo dhe mos u shpall luftë, sepse unë nuk do të jap asnjë pjesë të vendit të bijve të Amonit si trashëgimi, sepse ua kam dhënë bijve të Lotit si pronë të tyre".