Ligji i Përtërirë 16:9-18 Bibla Shqip (ALBB)

9. Do të numërosh shtatë javë; fillo të numërosh shtatë javë nga koha që fillon të korrësh grurin;

10. pastaj do ta kremtosh festën e Javëve për nder të Zotit, Perëndisë tënd, duke bërë ofertat e tua vullnetare dhe kjo në masën që Zoti, Perëndia yt, të bekon.

11. Dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, leviti që ndodhet brenda portave të tua, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen në mes teje, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

12. Do të kujtosh që ke qenë skllav në Egjipt dhe do të kujdesesh t'i zbatosh në praktikë këto statute.

13. Do të kremtosh festën e Kasolleve shtatë ditë me radhë, mbasi të kesh mbledhur prodhimin e lëmit dhe të fushës sate;

14. dhe do të gëzohesh në festën tënde, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, dhe leviti, i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen brenda portave të tua.

15. Do të kremtosh një festë për shtatë ditë me radhë për nder të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur, sepse Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha të korrat e tua dhe tërë punën e duarve të tua, dhe ti do të jesh shumë i kënaqur.

16. Tri herë në vit çdo mashkull i yt do t'i paraqitet Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, në festën e bukëve në festën të ndorme, në festën të Javëve dhe të Kasolleve; asnjeri prej tyre nuk do të paraqitet para Zotit duarbosh.

17. Por secili do të japë nga pjesa e tij sipas bekimit që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

18. Do të caktosh gjykatës dhe zyrtarë brenda portave të tua për çdo fis tëndin, në të gjitha qytetet që Zoti, Perëndia yt, të jep; dhe ata do ta gjykojnë popullin me vendime të drejta.

Ligji i Përtërirë 16