Ligji i Përtërirë 12:6-16 Bibla Shqip (ALBB)

6. aty do të çoni holokaustet dhe flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja, ofertat tuaja të kushtimit dhe ofertat vullnetare, si dhe të parëlindurit e bagëtive të trasha dhe të imta;

7. dhe aty do të hani përpara Zotit, Perëndisë tuaj, dhe do të gëzoheni, ju dhe familjet tuaja, për të gjitha ato që keni shtënë në dorë dhe për të cilat Zoti, Perëndia juaj, do t'ju bekojë.

8. Nuk do të veproni ashtu siç veprojmë sot këtu, ku secili bën të gjitha ato që i duken të drejta në sytë e tij,

9. sepse nuk keni hyrë akoma në pushimin dhe në trashëgiminë që Zoti, Perëndia juaj, ju jep.

10. Por ju do të kaloni Jordanin dhe do të banoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep në trashëgimi; dhe ai do t'ju japë pushim nga të gjithë armiqtë tuaj që ju rrethojnë dhe ju do të keni një banim të sigurt.

11. Atëherë do të ketë një vend ku Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë për të venduar emrin e tij dhe aty do të çoni tërë ato që unë ju urdhëroj: holokaustet tuaja, flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja dhe të gjitha ofertat e zgjedhura që i keni premtuar si kusht Zotit.

12. Dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj, ju, bijtë dhe bijat tuaja, shërbëtorët dhe shërbëtoret tuaja, dhe leviti që do të banojë brenda portave tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë, as trashëgimi midis jush.

13. Ki kujdes të mos ofrosh holokaustet e tua në çdo vend që sheh;

14. por në vendin që Zoti do të zgjedhë në një nga fiset e tua, atje do të ofrosh holokaustet e tua dhe aty do të bësh çdo gjë që unë të urdhëroj.

15. Por sa herë që të duash, mund të vrasësh kafshë dhe të hash mishin e tyre në të gjitha qytetet, sipas bekimit që të ka bërë Zoti; atë mund ta hanë si i papastri, ashtu dhe i pastri, siç bëhet me mishin e gazelës dhe të drerit;

16. por nuk do të hani gjakun e tyre; do ta derdhni mbi tokë siç derdhet uji.

Ligji i Përtërirë 12