Ligji i Përtërirë 12:10-20 Bibla Shqip (ALBB)

10. Por ju do të kaloni Jordanin dhe do të banoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep në trashëgimi; dhe ai do t'ju japë pushim nga të gjithë armiqtë tuaj që ju rrethojnë dhe ju do të keni një banim të sigurt.

11. Atëherë do të ketë një vend ku Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë për të venduar emrin e tij dhe aty do të çoni tërë ato që unë ju urdhëroj: holokaustet tuaja, flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja dhe të gjitha ofertat e zgjedhura që i keni premtuar si kusht Zotit.

12. Dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj, ju, bijtë dhe bijat tuaja, shërbëtorët dhe shërbëtoret tuaja, dhe leviti që do të banojë brenda portave tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë, as trashëgimi midis jush.

13. Ki kujdes të mos ofrosh holokaustet e tua në çdo vend që sheh;

14. por në vendin që Zoti do të zgjedhë në një nga fiset e tua, atje do të ofrosh holokaustet e tua dhe aty do të bësh çdo gjë që unë të urdhëroj.

15. Por sa herë që të duash, mund të vrasësh kafshë dhe të hash mishin e tyre në të gjitha qytetet, sipas bekimit që të ka bërë Zoti; atë mund ta hanë si i papastri, ashtu dhe i pastri, siç bëhet me mishin e gazelës dhe të drerit;

16. por nuk do të hani gjakun e tyre; do ta derdhni mbi tokë siç derdhet uji.

17. Brenda qyteteve të tua nuk mund të hash të dhjetat e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, as pjellën e parë të bagëtive të tua të trasha dhe të imta, as atë që ke premtuar si zotim as në ofertat e tua vullnetare, as në ofertat e larta të duarve të tua.

18. Por do t'i hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, dhe leviti që do të banojë brenda portave të tua; dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, çdo gjë mbi të cilën ti vë dorë.

19. Ki kujdes të mos shpërfillësh levitin, derisa të jetosh në atë vend.

20. Kur Zoti, Perëndia yt, do t'i zgjerojë kufijtë e tu, ashtu si të ka premtuar, dhe ti do të thuash: "Do të ha mish", sepse ke dëshirë të hash mish, do të mund të hash mish sa herë që e dëshiron.

Ligji i Përtërirë 12