Ligji i Përtërirë 12:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Këto janë statutet dhe dekretet që duhet të keni kujdes të respektoni në vendin që Zoti, Perëndia i etërve të tu, të ka dhënë si trashëgimi për të gjitha ditët që do të jetoni mbi tokë.

2. Do të shkatërroni tërësisht të gjitha vendet ku kombet që jetoni duke përzënë u shërbejnë perëndive të tyre; mbi malet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë që gjelbëron.

3. Do të rrënoni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do t'u vini flakën Asherimëve të tyre, do të rrëzoni shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të tyre, do të zhdukni emrin e tyre nga këto vende.

4. Nuk do të veproni kështu me Zotin, Perëndinë tuaj,

5. por do ta kërkoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë midis tërë fiseve tuaj, për t'iu vënë emrin e tij si banesë e tij; dhe aty do të shkoni;

6. aty do të çoni holokaustet dhe flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja, ofertat tuaja të kushtimit dhe ofertat vullnetare, si dhe të parëlindurit e bagëtive të trasha dhe të imta;

7. dhe aty do të hani përpara Zotit, Perëndisë tuaj, dhe do të gëzoheni, ju dhe familjet tuaja, për të gjitha ato që keni shtënë në dorë dhe për të cilat Zoti, Perëndia juaj, do t'ju bekojë.

8. Nuk do të veproni ashtu siç veprojmë sot këtu, ku secili bën të gjitha ato që i duken të drejta në sytë e tij,

9. sepse nuk keni hyrë akoma në pushimin dhe në trashëgiminë që Zoti, Perëndia juaj, ju jep.

10. Por ju do të kaloni Jordanin dhe do të banoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep në trashëgimi; dhe ai do t'ju japë pushim nga të gjithë armiqtë tuaj që ju rrethojnë dhe ju do të keni një banim të sigurt.

11. Atëherë do të ketë një vend ku Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë për të venduar emrin e tij dhe aty do të çoni tërë ato që unë ju urdhëroj: holokaustet tuaja, flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja dhe të gjitha ofertat e zgjedhura që i keni premtuar si kusht Zotit.

12. Dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj, ju, bijtë dhe bijat tuaja, shërbëtorët dhe shërbëtoret tuaja, dhe leviti që do të banojë brenda portave tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë, as trashëgimi midis jush.

13. Ki kujdes të mos ofrosh holokaustet e tua në çdo vend që sheh;

Ligji i Përtërirë 12