Levitiku 4:2-16 Bibla Shqip (ALBB)

2. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush kryen mëkat nga padituria kundër çfarëdo urdhërimi, duke bërë diçka që nuk duhet të bënte,

3. në rast se mëkaton prifti që ka qenë vajuar, duke e bërë kështu popullin fajtor, t'i ofrojë Zotit për mëkatin e kryer një dem të vogël pa të meta, si flijim për mëkatin.

4. Do ta çojë demin e vogël në hyrje të çadrës së mbledhjes përpara Zotit; do të vërë dorën e tij mbi kokën e demit të vogël dhe do ta therë demin e vogël përpara Zotit.

5. Pastaj prifti që ka qenë vajosur do të marrë gjak nga demi i vogël dhe do ta çojë atë në çadrën e mbledhjes;

6. prifti do të ngjyejë gishtin e tij në gjak dhe do të spërkasë pak nga ky gjak shtatë herë para Zotit, përballë velit të shenjtërores.

7. Pastaj prifti do të vërë pak nga ai gjak mbi brirët e altarit të temjanit të parfumuar para Zotit, që ndodhet në çadrën e mbledhjes; do të derdhë mbetjen e gjakut të demit të vogël mbi bazën e altarit të holokausteve, që ndodhet në hyrje të çadrës së mbledhjes.

8. Do të heqë prej tij tërë dhjamin e flisë së mëkatit të demit të vogël: dhjamin që mbulon zorrët dhe tërë dhjamin që rri ngjitur me zorrët,

9. të dy veshkat dhe dhjamin që ndodhet mbi ta rreth ijëve, por do të shkëputë bulën e majme të mëlçisë mbi veshkat,

10. ashtu siç veprohet për demin e vogël të flijimit të falënderimit; pastaj prifti do t'i tymosë ato mbi altarin e holokausteve.

11. Por lëkurën e demit të vogël dhe tërë mishin e tij, së bashku me kokën e tij, këmbët e tij, zorrët e tij dhe fëlliqësirat e tij,

12. gjithë demin e vogël, do ta çojë jashtë kampit, në një vend të pastër, ku hidhet hiri; dhe do ta djegë mbi dru me zjarr; do të digjet aty ku hidhet hiri.

13. Në rast se gjithë asambleja e Izraelit kryen mëkat nga padituria, dhe kjo gjë mbahet e fshehtë nga sytë e asamblesë, ajo ka bërë diçka që Zoti e ka ndaluar të bëhet dhe kështu është bërë fajtore;

14. kur mëkati i bërë do të bëhet i njohur, asambleja do të ofrojë si fli për mëkatin një dem të vogël dhe do ta çojë përpara çadrës së mbledhjes.

15. Pleqtë e asamblesë do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël përpara Zotit; pastaj demi i vogël do të theret përpara Zotit.

16. Pastaj prifti që ka qenë vajuar do të sjellë pak gjak nga demi i vogël në çadrën e mbledhjes;

Levitiku 4