1. Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
2. "Foluni bijve të Izraelit dhe u thoni atyre: Kushdo që ka një fluks nga trupi i tij, ky fluks është i papastër.
3. Papastërtia e tij është prodhuar nga fluksi: ai është i papastër për sa kohë fluksi i trupit të tij është ende në veprim, ashtu edhe kur fluksi në trupin e tij është ndaluar.
4. Çdo shtrat mbi të cilin shtrihet ai që ka fluksin do të jetë i papastër; po ashtu do të jetë e papastër çdo gjë mbi të cilën ai ulët.
5. Kushdo që prek shtratin e tij do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet me ujë, dhe ka për të qenë i papastër deri në mbrëmje.
6. Kush ulet mbi çfarëdo gjëje mbi të cilën është ulur ai që ka fluksin, do të lajë rrobat e tij dhe veten me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
7. Kush prek trupin e atij që ka fluksin, do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
8. Në qoftë se ai që ka fluksin pështyn mbi dikë që është i pastër, ky do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
9. Çdo shalë mbi të cilën hipën ai që ka fluksin do të jetë e papastër.
10. Kushdo që prek çfarëdo gjëje që ka qenë nën të, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kushdo që transporton këto sende do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
11. Kushdo që prek atë që ka fluksin, pa i larë duart, duhet të lajë rrobat e tij dhe të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
12. Ena prej balte, e prekur nga ai që ka fluksin, do të thyhet; dhe çdo enë prej druri do të lahet në ujë.