Levitiku 13:26-37 Bibla Shqip (ALBB)

26. Por në rast se prifti, duke shqyrtuar, sheh që nuk ka qime të bardhë në njollë dhe që kjo nuk është më e thellë se lëkura, por është pakësuar, prifti do ta izolojë shtatë ditë atë njeri.

27. Ditën e shtatë, prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se njolla është përhapur edhe më mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të papastër; është plagë lebre.

28. Në qoftë se njolla e shndritshme ka mbetur përkundrazi në të njëjtin vend dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, por është pakësuar, është një ënjtje shkaktuar nga djegia; prifti do ta shpallë të pastër, sepse është mbresa e djegies.

29. Kur një burrë apo një grua ka një plagë në kokë apo në mjekër,

30. prifti do të ekzaminojë plagën; në rast se duket më e thellë se lëkura dhe në të ka qime të verdha dhe të holla, prifti do ta shpallë atë të papastër; është qere, domethënë lebër e kokës apo e mjekrës.

31. Në qoftë se përkundrazi prifti shqyrton plagën e qeres, dhe kjo nuk duket më e thellë se lëkura dhe në të nuk ka qime të zeza, prifti do ta izolojë shtatë ditë atë që ka plagën e qeres.

32. Ditën e shtatë prifti do të kontrollojë plagën dhe, po të jetë se qerja nuk është përhapur dhe nuk ka në të qime të verdha, dhe qerja nuk duket më e thellë se lëkura,

33. ai person do të rruhet, por nuk do të rruajë pjesën e prekur nga qerja; dhe prifti do ta izolojë shtatë ditë të tjera atë që ka qeren.

34. Ditën e shtatë prifti do të kontrollojë qeren; dhe në qoftë se qerja nuk është përhapur mbi lëkurë dhe nuk duket më e thellë se lëkura, prifti do ta shpallë të pastër; ai do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i pastër.

35. Por në qoftë se, pasi është shpallur i pastër, qerja është përhapur mbi lëkurë,

36. prifti do ta kontrollojë atë; në qoftë se qerja është përhapur mbi lëkurë, prifti nuk duhet të kërkojë qimen e verdhë; ai është i papastër.

37. Por në qoftë se qerja duket se është ndaluar dhe në të janë rritur qime të zeza, qerja është shëruar; ai është i pastër dhe prifti do ta shpallë të pastër.

Levitiku 13