8. Pastaj priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të vendosin copat, kokën dhe dhjamin mbi drutë e vëna mbi zjarrin që gjendet mbi altarin;
9. por do t'i lajnë me ujë zorrët dhe këmbët, dhe prifti do të tymosë çdo gjë mbi altar, si një holokaust, një flijim që është bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.
10. Në qoftë se oferta e tij është një holokaust nga kopeja: dele ose dhi, të ofrojë një mashkull pa të meta.
11. Do ta therë nga krahu verior i altarit, përpara Zotit; dhe priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të spërkasin gjakun e tij rreth e qark altarit.
12. Pastaj do ta presë në copa bashkë me kokën dhe dhjamin e tij, dhe prifti do t'i vërë mbi drutë që ndodhen mbi zjarrin që është mbi altar;
13. por do t'i lajë zorrët dhe këmbët me ujë, dhe prifti do të paraqesë çdo gjë dhe do ta tymosë mbi altar. Ky është një holokaust, një flijim i bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.
14. Në qoftë se ofrimi i tij për Zotin është një holokaust zogjsh, të sjellë turtuj ose pëllumba të rinj.
15. Prifti do t'i paraqesë në altar, do t'u këpusë kokën, do t'i tymosë këto mbi altar, dhe gjaku i tij do të rrjedhë mbi një krah të altarit.