Jozueu 7:15-26 Bibla Shqip (ALBB)

15. Dhe atij që do t'i gjenden gjëra të caktuara të shfarosen do t'i vihet flaka, atij vet dhe gjithçka që i përket, sepse ka shkelur besëlidhjen e Zotit dhe ka kryer një gjë të keqe në Izrael"".

16. Jozueu, pra, u ngrit herët në mëngjes dhe e renditi Izraelin sipas fiseve të tij; dhe u caktua fisi i Judës.

17. Pastaj afroi familjet e Judës, dhe u caktua familja e zarhitëve. Pastaj afroi familjen e zarhitëve, person mbas personi, dhe u caktua Zabdi.

18. Pastaj afroi shtëpinë e Zabdit, person për person, dhe u caktua Akani, bir i Karmit, i Zabdit, birit të Zerahut, nga fisi i Judës.

19. Atëherë Jozueu i tha Akanit: "Biri im, të lutem, mbushe me lavdi Zotin, Perëndinë e Izraelit, rrëfeji atij dhe më thuaj atë që ke bërë; mos ma fshih".

20. Akani iu përgjigj Jozueut dhe i tha: "Në të vërtetë jam unë që kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, dhe ja ç'kam bërë.

21. Kur pashë midis plaçkës një mantel të bukur të Shinarit, dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari që peshon pesëdhjetë sikla, pata një dëshirë të madhe për to dhe i mora; dhe ja, i kam fshehur në tokë në mes të çadrës sime; dhe argjendi është poshtë".

22. Atëherë Jozueu dërgoi lajmëtarë që vrapuan në çadër; dhe ja, plaçka ishte fshehur në çadrën e tij, dhe argjendi ndodhej poshtë.

23. Ata e morën nga çadra, ia çuan Jozueut dhe tërë bijve të Izraelit, dhe e vendosën përpara Zotit.

24. Atëherë Jozueu, dhe tërë Izraeli bashkë me të, mori Akanin, birin e Zerahut, argjendin, mantelin, shufrën prej ari, bijtë dhe bijat e tij, qetë e tij, gomarët e tij, delet e tij dhe të gjitha gjërat që i përkisnin, dhe i ngjiti në luginën e Akorit.

25. Dhe Jozueu tha: "Pse na vure në telashe? Zoti do të të vërë në telashe ty sot!". Dhe i tërë Izraeli e vrau me gurë; dhe mbasi e vranë me gurë, e dogjën në zjarr.

26. Pastaj ngritën mbi të një grumbull të madh gurësh, që ekziston edhe sot. Kështu Zoti u qetësua nga rrëmbimi i zemërimit të tij. Prandaj ky vend quhet edhe sot lugina e Akorit.

Jozueu 7