1. Por bijtë e Izraelit kryen një shkelje rreth gjërave të caktuara për shfarosje, sepse Akani, djalë i Karmit, i Zabdiut, birit të Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa sende të caktuara për shfarosje,
2. Ndërkaq Jozueu dërgoi njerëz nga Jeriko në Ai, që është afër Beth-Avenit, i cili ndodhet në lindje të Bethelit, dhe u tha atyre: "Ngjituni për të vëzhguar vendin". Kështu njerëzit u ngjitën për të vëzhguar Ain.
3. Pastaj u kthyen tek Jozueu dhe i thanë: "Nuk është e nevojshme të ngjitet tërë populli; por le të ngjiten dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ain; mos e lodh tërë popullin, sepse ata të Ait janë të paktë në numër".
4. Kështu u ngjitën rreth tre mijë burra të zgjedhur nga radhët e popullit, por para burrave të Ait, ua mbathën këmbëve.
5. Dhe burrat e Ait vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre; i ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim, duke i goditur në tatëpjetë. Dhe zemra e popullit u ligështua, u bë si uji.
6. Jozueu i grisi atëherë rrobat e tij dhe ra përmbys me fytyrë për tokë, përpara arkës së Zotit deri në mbrëmje, ai dhe pleqtë e Izraelit, dhe hodhën pluhur mbi kokën e tyre.
7. Pastaj Jozueu tha: "O Zot, o Zot, pse bëre që ky popull të kalojë Jordanin dhe të bjerë në duart e amorenjve për t'u vrarë? Ah, sikur të ishim kënaqur duke qëndruar këtej Jordanit!
8. O Zot, ç'mund të them pasi Izraeli i ktheu kurrizin armikut të tij?
9. kanaanenjtë dhe tërë banorët e vendit do ta marrin vesh, do të na rrethojnë dhe do të zhdukin emrin tonë nga faqja e dheut; çfarë do të bësh ti atëherë për emrin tënd të madh?".
10. Por Zoti i tha Jozueut: "Çohu! Pse rri përmbys me fytyrë për tokë?
11. Izraeli ka mëkatuar; ata kanë shkelur besëlidhjen që u kisha porositur; kanë marrë madje gjëra të caktuara që të shfarosen, kanë vjedhur dhe kanë gënjyer; dhe pastaj i kanë vënë midis plaçkave të tyre.