5. Ata do ta ndanë në shtatë pjesë: Juda do të mbetet në territorin e tij në jug dhe shtëpia e Jozefit në territorin e tij në veri.
6. Ju do të bëni, pra, përshkrimin e vendit në shtatë pjesë; do ta sillni tek unë dhe unë do të hedh shortin për ju këtu, para Zotit, Perëndisë tonë.
7. Por levitët nuk duhet të kenë asnjë pjesë në mes tuaj, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre; dhe Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manasit kanë marrë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit në lindje, që Moisiu, shërbëtori i Zotit, u ka dhënë atyre".
8. Ata njerëz, pra, u ngritën dhe u nisën; dhe Jozueu i urdhëroi ata që niseshin për të përshkruar vendin, duke u thënë: "Shkoni, përshkoni vendin dhe bëni përshkrimin e tij; pastaj kthehuni tek unë, dhe këtu unë do të hedh shortin për ju para Zotit në Shiloh".
9. Kështu ata njerëz u nisën, e përshkuan vendin dhe bënë në një libër përshkrimin e shtatë pjesëve të tij sipas qyteteve; pastaj u kthyen tek Jozueu në kampin e Shilohut.