13. Kështu dielli u ndal dhe hëna qëndroi në vend derisa mbaroi hakmarrja e popullit kundër armiqve të tij. A nuk është shkruar kjo në librin e të Drejtit? Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë.
14. Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo kur Zoti plotësoi dëshirën e zërit të një njeriu, pse Zoti luftoi për Izraelin.
15. Pastaj Jozueu dhe i tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në kampin e Gilgalit.
16. Por ata pesë mbretër kishin ikur me vrap dhe ishin fshehur në shpellën e Makedahut.
17. Këtë ia thanë Jozueut: "Pesë mbretërit u gjetën të fshehur në shpellën e Makedahut".
18. Atëherë Jozueu tha: "Rrokullisni gurë të mëdhenj te hyrja e shpellës dhe vini njerëz që t'i ruajnë.
19. Ju ndërkaq mos u ndalni, por ndiqni armiqtë tuaj dhe goditni prapavijat e tij; mos i lejoni të hyjnë në qytetet e tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë në duart tuaja".
20. Kur Jozueu dhe bijtë e Izraelit mbaruan së shfarosuri armiqtë e tyre me një kërdi të madhe derisa i zhdukën krejt, dhe ata që shpëtuan kërkuan strehë në qytetet e fortifikuara,
21. tërë populli u kthye shëndoshë e mirë pranë Jozueut në kampin e Makedahut. Askush nuk guxoi të flasë kundër ndonjërit prej bijve të Izraelit.