Joeli 2:3-12 Bibla Shqip (ALBB)

3. Para tij një zjarr po gllabëron dhe pas tij një flakë po djeg. Përpara tij vendi është si kopshti i Edenit; dhe pas tij është si një shkretëtirë e mjeruar; po, asgjë nuk i shpëton atij.

4. Pamja e tyre është si pamja e kuajve, dhe rendin si kuaj të shpejtë.

5. Ata hidhen mbi majat e maleve me zhurmë qerresh, si brambullima e flakës së zjarrit që djeg kallamishtet, si një popull i fortë që është rreshtuar për betejë.

6. Përpara tyre popujt përpëliten nga dhembja, çdo fytyrë zbehet.

7. Rendin si njerëz trima, ngjiten mbi muret si luftëtarë; secili ndjek rrugën e vet pa devijuar prej saj.

8. Askush nuk e shtyn fqinjin e tij, secili ndjek shtegun e vet; sulen në mes të shigjetave, por nuk plagosen.

9. I bien qytetit kryq e tërthor, rendin mbi muret, ngjiten në shtëpi, hyjnë në to nga dritaret si vjedhës.

10. Para tyre dridhet toka, dridhen qiejt, dielli dhe hëna erren dhe yjet humbin shkëlqimin e tyre.

11. Zoti bën që t'i dëgjohet zëri para ushtrisë së tij, sepse fusha e tij është shumë madhe dhe zbatuesi i fjalës së tij është i fuqishëm. Po, dita e Zotit është e madhe dhe fort e tmerrshme; kush mund ta durojë?

12. "Prandaj tani", thotë Zoti, "kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime".

Joeli 2