14. Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.
15. Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken.
16. Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora,
17. por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre.
18. Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shkretëtirë dhe mbarojnë.
19. Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata,
20. por ata mbeten të zhgënjyer me gjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar.
21. Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë.
22. A ju kam thënë vallë: "Më jepni diçka" o "më bëni një dhuratë nga pasuria juaj",
23. ose "liromëni nga duart e armikut", ose "më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën"?
24. Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar.
25. Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja?
26. Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?
27. Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj.