1. "Bërtit, pra! A ka vallë ndonjë që të përgjigjet? Kujt prej shenjtorëve do t'i drejtohesh?
2. Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë.
3. E kam parë të pamendin të lëshojë rrënjë, por shumë shpejt e mallkova banesën e tij.
4. Bijtë e tij nuk kanë asnjë siguri, janë të shtypur te porta, dhe nuk ka njeri që t'i mbrojë.
5. I urituri përpin të korrat e tij, ia merr edhe sikur të jenë midis gjembave, dhe një lak përpin pasurinë e tij.
6. Sepse shpirtligësia nuk del nga pluhuri dhe mundimi nuk mbin nga toka;
7. por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t'u ngjitur lart.
8. Por unë do të kërkoja Perëndinë, dhe Perëndisë do t'i besoja çështjen time,
9. atij që bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen; mrekulli të panumërta,
10. që i jep shiun tokës dhe dërgon ujin në fushat;
11. që ngre të varfrit dhe vë në siguri lart ata që vuajnë.
12. I bën të kota synimet e dinakëve, dhe kështu duart e tyre nuk mund të realizojnë planet e tyre;
13. i merr të urtët në dredhinë e tyre, dhe kështu këshilla e të pandershmëve shpejt bëhet tym.
14. Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë ecin me tahmin sikur të ishte natë;
15. por Perëndia e shpëton nevojtarin nga shpata, nga goja e të fuqishmëve dhe nga duart e tyre.
16. Kështu ka shpresë për të mjerin, por padrejtësia ia mbyll gojën atij.
17. Ja, lum njeriu që Perëndia dënon; prandaj ti mos e përbuz ndëshkimin e të Plotfuqishmit;
18. sepse ai e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë.