Jobi 38:3-23 Bibla Shqip (ALBB)

3. Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.

4. Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.

5. Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?

6. Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,

7. kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?

8. Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës,

9. kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena?

10. Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta,

11. dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"?

12. Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit,

13. që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij?

14. Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje.

15. Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet.

16. A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?

17. Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes?

18. A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto!

19. Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij,

20. që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij?

21. Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh.

22. Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshrit,

23. që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?

Jobi 38