5. Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës.
6. Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve;
7. ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat;
8. njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre.
9. Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre.
10. Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë.
11. Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje.
12. Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë.
13. Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon.
14. Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi.
15. Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re.
16. Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar.
17. Natën ndiej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim.
18. Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim.
19. Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri,
20. Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar.
21. Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate.
22. Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi.
23. E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët.
24. me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë.