Jobi 29:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:

2. "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,

3. kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;

4. siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,

5. kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;

6. kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.

7. Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,

8. të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;

9. princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;

10. zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.

11. veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,

12. sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.

Jobi 29