Jeremia 7:14-30 Bibla Shqip (ALBB)

14. unë do të veproj me këtë tempull, në të cilin përmendet emri im dhe në të cilin keni besim, me këtë vend që ua dhashë juve dhe etërve tuaj, ashtu si bëra në Shiloh;

15. dhe do t'ju dëboj nga prania ime, ashtu si dëbova tërë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.

16. Prandaj mos ndërhy për këtë popull, mos lësho për ata asnjë britmë ose lutje dhe mos ngul këmbë pranë meje se nuk do të kënaq.

17. A nuk shikon çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit?

18. Bijtë mbledhin drutë, etërit ndezin zjarrin dhe gratë mbrujnë miellin për të përgatitur kulaç për mbretëreshën e qiellit, dhe pastaj u bëjnë libacione perëndive të tjera për të më zemëruar mua.

19. Por a më ngacmojnë me të vërtetë", thotë Zoti "ose më mirë veten e tyre dhe mbulohen me turp?".

20. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, zemërimi im, tërbimi im do të bjerë mbi këtë vend, mbi njerëzit dhe kafshët, mbi drurët e fushës dhe mbi frytet e tokës dhe do të djegë pa u shuar".

21. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Shtojini holokaustet tuaja sakrificave tuaja dhe hani mishin e tyre!

22. Sepse unë nuk u fola etërve tuaj dhe nuk u dhashë atyre asnjë urdhër, kur bëra që të dalin nga vendi i Egjiptit, për sa u përket holokausteve dhe flijimeve;

23. por këtë urdhër u dhashë: "Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur".

24. Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara.

25. Nga dita në të cilën etërit tuaj dolën nga vendi i Egjiptit e deri më sot, ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim.

26. Por ata nuk më kanë dëgjuar as ma vunë veshin, por e fortësuan zverkun e tyre dhe u sollën më keq se etërit e tyre.

27. Prandaj ti do t'u thuash atyre tërë këto gjëra, por ata nuk do të dëgjojnë; do t'i thërrasësh, por nuk do të përgjigjen.

28. Kështu do t'u thuash atyre: "Ky është kombi që nuk dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë së tij, dhe as pranon korrigjim; e vërteta është zhdukur dhe është eliminuar nga goja e tyre".

29. Pri flokët dhe hidhi tutje, nise vajtimin mbi lartësitë, sepse Zoti ka hedhur poshtë dhe e ka braktisur brezin e zemërimit të tij.

30. Bijtë e Judës kanë bërë atë që është e keqe për sytë e mi", thotë Zoti. "Kanë vendosur veprimet e tyre të neveritshme në tempullin ku përmendet emri im, për ta ndotur.

Jeremia 7