7. Ashtu si një pus nxjerr ujërat e tij, kështu ai nxjerr ligësinë e vet; në të flitet vetëm për dhunë dhe për shkatërrim; para meje qëndrojnë vazhdimisht dhembje dhe plagë.
8. Lejo të të korrigjojnë, o Jeruzalem, përndryshe shpirti im do të largohet nga ti, përndryshe do të të katandis në një shkretim, në një tokë të pabanuar".
9. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë.
10. Kujt do t'i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.
11. Prandaj jam mbushur me zemërimin e madh të Zotit; jam lodhur duke e përmbajtur. Do ta hedh mbi fëmijët në rrugë dhe mbi të rinjtë e mbledhur bashkë, sepse do të kapen si burri ashtu dhe gruaja, si plaku ashtu dhe burri i ngarkuar me vite.
12. Shtëpitë e tyre do t'u kalojnë të tjerëve, së bashku me arat e tyre dhe bashkëshortet e tyre, sepse unë do të shtrij dorën time mbi banorët e vendit", thotë Zoti.
13. "Sepse nga më i vogli deri tek më i madhi të gjithë lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti janë të gjithë gënjeshtarë.
14. Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe", kur nuk ka paqe.
15. A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç'ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t'i vizitoj, do të rrëzohen", thotë Zoti.
16. Kështu thotë Zoti: "Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj". Por ata përgjigjen: "Nuk do të ecim nëpër të".
17. "Kam vënë roje mbi ju: Kushtojini kujdes zërit të borisë!". Por ata përgjigjen: "Nuk do t'i kushtojmë kujdes".
18. "Prandaj, dëgjoni, o kombe, dhe dije, o kuvend, çfarë do t'u ndodhë atyre.