19. Dëgjo, o tokë! Ja, unë do të sjell mbi këtë popull një gjëmë, vetë frytin e mendimeve të tij, sepse nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë.
20. Ç'më hyn në punë temjani që vjen nga Sheba, kanella erë mirë që vjen nga një vend i largët? holokaustet tuaja nuk më pëlqejnë dhe sakrificat tuaja nuk më pëlqejnë".
21. Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të vendos para këtij populli disa gurë pengese në të cilët do të pengohen bashkë etër dhe bij; fqinji dhe miku do të vdesin".
22. Kështu thotë Zoti: "Ja, një popull vjen nga një vend i veriut dhe një komb i madh do të dalë nga skajet e tokës.
23. Ata rrokin harkun dhe ushtën; janë të egër dhe nuk kanë mëshirë; zëri i tyre i ngjet zhurmës së detit; ata kanë hipur mbi kuaj dhe janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Sionit".
24. "Kemi dëgjuar famën e tyre dhe na ranë duart; ankthi na ka mbërthyer, ashtu si dhembjet që zënë një grua që po lind".
25. Mos dilni nëpër ara, mos ecni nëpër rrugë, sepse shpata e armikut dhe tmerri janë kudo.