Jeremia 51:52-62 Bibla Shqip (ALBB)

52. "Prandaj ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat unë do të dënoj figurat e tij të gdhendura dhe në tërë vendin e tij do të rënkojnë të plagosurit për vdekje.

53. Edhe sikur Babilonia të ngjitej deri në qiell, edhe sikur ta bënte të pakapshme forcën e saj të lartë, nga ana ime do të vijnë kundër saj disa shkatërrimtarë", thotë Zoti.

54. Zhurma e një britme po vjen nga Babilonia, e një shkatërrimi të madh nga vendi i kaldeasve.

55. Sepse Zoti po shkatërron Babiloninë dhe bën që të pushojë zhurma e saj e madhe; valët e tyre gumëzhijnë, zhurma e zërit të tyre po ngrihet.

56. Shkatërrimtari në fakt erdhi kundër saj, kundër Babilonisë; trimat e saj janë kapur, harqet e tyre janë copëtuar, sepse Zoti është Perëndia i shpërblimeve; ai do t'i shpërblejë me siguri.

57. Unë do t'i deh princat e saj, njerëzit e urtë të saj, qeveritarët e saj, nëpunësit e saj, dhe trimat e saj dhe kështu do të bëjnë një gjumë të përjetshëm dhe nuk do të zgjohen më", thotë Mbreti, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.

58. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Muret e gjëra të Babilonisë do të prishen krejtësisht, portat e saj të larta do të digjen me zjarr; kështu popujt do të kenë punuar për asgjë dhe kombet do të jenë munduar vetëm për zjarrin".

59. Urdhri që profeti Jeremia i dha Serajahut, birit të Neriahut, bir i Mahsejahut, kur shkoi në Babiloni me Sedekian, mbretin e Judës, në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Serajahu ishte shefi i çambelanëve.

60. Kështu Jeremia shkroi në një libër tërë të këqijat që do të pësonte Babilonia, tërë këto fjalë që janë shkruar kundër Babilonisë.

61. Dhe Jeremia i tha Serajahut: "Kur të arrish në Babiloni, ki kujdes t'i lexosh tërë këto fjalë,

62. dhe do të thuash: "O Zot, ti ke thënë për këtë vend se do ta shkatërroje, dhe se nuk do të mbetej në të më asnjëri, qoftë njeri apo kafshë, por do të bëhej një shkreti e përjetshme".

Jeremia 51