45. Dil nga mesi i saj, o populli im, dhe secili të shpëtojë jetën e tij përpara zemërimit të zjarrtë të Zotit.
46. Zemra juaj mos u ligështoftë dhe mos u trembni nga lajmet që do të dëgjohen në vend, sepse një vit do të vijë një lajm dhe vitin tjetër një lajm tjetër. Do të ketë dhunë në vend, sundues kundër sunduesit.
47. Prandaj ja, do të vijnë ditët në të cilat unë do të ndëshkoj figurat e gdhendura të Babilonisë; tërë vendi do të mbulohet me turp dhe tërë të plagosurit për vdekje do të rrëzohen në mes të saj.
48. Atëherë qiejt, toka dhe çdo gjë që është në to do të ngazëllejnë mbi Babiloninë, sepse shkatërruesit do të vijnë kundër saj nga veriu", thotë Zoti.
49. Ashtu si Babilonia bëri që të rrëzohen të plagosurit për vdekje të Izraelit, kështu në Babiloni do të rrëzohen të plagosurit për vdekje të të gjithë vendit.
50. Ju, që keni shpëtuar nga shpata, nisuni, mos u ndalni; mbani mend që nga larg Zotin, dhe Jeruzalemi t'ju kthehet në zemër.
51. Na vjen turp të dëgjojmë sharjen, turpi ka mbuluar fytyrën tonë, sepse disa të huaj kanë hyrë në shenjtëroret e shtëpisë të Zotit.
52. "Prandaj ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat unë do të dënoj figurat e tij të gdhendura dhe në tërë vendin e tij do të rënkojnë të plagosurit për vdekje.
53. Edhe sikur Babilonia të ngjitej deri në qiell, edhe sikur ta bënte të pakapshme forcën e saj të lartë, nga ana ime do të vijnë kundër saj disa shkatërrimtarë", thotë Zoti.
54. Zhurma e një britme po vjen nga Babilonia, e një shkatërrimi të madh nga vendi i kaldeasve.
55. Sepse Zoti po shkatërron Babiloninë dhe bën që të pushojë zhurma e saj e madhe; valët e tyre gumëzhijnë, zhurma e zërit të tyre po ngrihet.
56. Shkatërrimtari në fakt erdhi kundër saj, kundër Babilonisë; trimat e saj janë kapur, harqet e tyre janë copëtuar, sepse Zoti është Perëndia i shpërblimeve; ai do t'i shpërblejë me siguri.
57. Unë do t'i deh princat e saj, njerëzit e urtë të saj, qeveritarët e saj, nëpunësit e saj, dhe trimat e saj dhe kështu do të bëjnë një gjumë të përjetshëm dhe nuk do të zgjohen më", thotë Mbreti, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.
58. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Muret e gjëra të Babilonisë do të prishen krejtësisht, portat e saj të larta do të digjen me zjarr; kështu popujt do të kenë punuar për asgjë dhe kombet do të jenë munduar vetëm për zjarrin".