Jeremia 51:35-46 Bibla Shqip (ALBB)

35. Dhuna e ushtruar kundër meje dhe mishit tim rëntë mbi Babiloninë", do të thotë banori i Sionit. "Gjaku im rëntë mbi banorët e Kaldesë", do të thotë Jeruzalemi.

36. Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të mbroj çështjen tënde dhe do ta kryej hakmarrjen tënde. Do të bëj që të thahet deti i saj dhe të shterojë burimi i saj.

37. Babilonia do të bëhet një grumbull gërmadhash, një strehë për çakejtë, një objekt habie e talljeje, pa banorë.

38. Ata do të vrumbullijnë bashkë si luanë, do të skërmitin dhëmbët si këlyshët e luanit.

39. Kur të kenë vapë, do t'u jap të pijnë, do t'i deh që të kënaqen dhe të flenë një gjumë të përjetshëm, pa u zgjuar më", thotë Zoti.

40. Unë do t'i bëj të zbresin në kasaphanë si qengja, si desh bashkë me cjeptë.

41. Vallë si u pushtua Sheshaku dhe u fitua lavdia e tërë dheut? Vallë si u bë Babilonia një shkreti midis kombeve?

42. Deti ka dalë përmbi Babiloninë; ajo është mbytur nga zhurma e valëve të tij.

43. Qytetet e saj janë bërë një mjerim, një tokë e zhuritur, një shkreti, një vend ku nuk banon askush dhe nëpër të cilin nuk kalon asnjë bir njeriu.

44. Unë do të ndëshkoj Belin në Babiloni dhe do të nxjerr nga goja e tij atë që ka gllabëruar dhe kombet nuk do të bashkohen më me të. Madje edhe muret e Babilonisë do të rrëzohen.

45. Dil nga mesi i saj, o populli im, dhe secili të shpëtojë jetën e tij përpara zemërimit të zjarrtë të Zotit.

46. Zemra juaj mos u ligështoftë dhe mos u trembni nga lajmet që do të dëgjohen në vend, sepse një vit do të vijë një lajm dhe vitin tjetër një lajm tjetër. Do të ketë dhunë në vend, sundues kundër sunduesit.

Jeremia 51