31. Korrieri vrapon përballë korrierit dhe lajmëtari përballë lajmëtarit për t'i njoftuar mbretit të Babilonisë që qyteti i tij është marrë nga çdo anë;
32. vatë që mund të kalohen më këmbë janë zënë, kënetat janë në flakë dhe luftëtarët janë të tmerruar.
33. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Bija e Babilonisë është si një lëmë në kohën që shkelet; edhe pak dhe do të vijë për të koha e korrjes".
34. "Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, na ka gëlltitur, na ka shtypur, na ka katandisur si një enë bosh; na ka gëlltitur si një dragua, ka mbushur barkun e tij me ushqimet tona të shijshme, na ka përzënë.
35. Dhuna e ushtruar kundër meje dhe mishit tim rëntë mbi Babiloninë", do të thotë banori i Sionit. "Gjaku im rëntë mbi banorët e Kaldesë", do të thotë Jeruzalemi.
36. Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të mbroj çështjen tënde dhe do ta kryej hakmarrjen tënde. Do të bëj që të thahet deti i saj dhe të shterojë burimi i saj.
37. Babilonia do të bëhet një grumbull gërmadhash, një strehë për çakejtë, një objekt habie e talljeje, pa banorë.
38. Ata do të vrumbullijnë bashkë si luanë, do të skërmitin dhëmbët si këlyshët e luanit.
39. Kur të kenë vapë, do t'u jap të pijnë, do t'i deh që të kënaqen dhe të flenë një gjumë të përjetshëm, pa u zgjuar më", thotë Zoti.
40. Unë do t'i bëj të zbresin në kasaphanë si qengja, si desh bashkë me cjeptë.
41. Vallë si u pushtua Sheshaku dhe u fitua lavdia e tërë dheut? Vallë si u bë Babilonia një shkreti midis kombeve?
42. Deti ka dalë përmbi Babiloninë; ajo është mbytur nga zhurma e valëve të tij.
43. Qytetet e saj janë bërë një mjerim, një tokë e zhuritur, një shkreti, një vend ku nuk banon askush dhe nëpër të cilin nuk kalon asnjë bir njeriu.