26. Nga ti nuk do të merren më as gurë të qoshes, as gurë themeli, por ti do të bëhesh një shkreti përjetë, thotë Zoti.
27. Ngrini një flamur në vend, bjerini borisë midis kombeve; përgatitni kombet kundër saj, thirrni të mblidhen kundër saj mbretëritë e Araratit, Minit dhe Ashkenazit. Emëroni kundër saj një komandant. Bëni që të përparojnë kuajt si karkaleca të kreshtë.
28. Përgatitni kundër saj kombet, me mbretëritë e Medisë, me qeveritarët e tij, me të gjithë gjykatësit dhe tërë vendet e zotërimeve të tij.
29. Toka do të dridhet dhe do të mbajë zi, sepse planet e Zotit kundër Babilonisë do të realizohen, për ta katandisur vendin e Babilonisë në një shkreti, pa banorë.
30. Trimat e Babilonisë kanë hequr dorë nga lufta; kanë mbetur në fortesat e tyre; forca e tyre është ligështuar, janë bërë si gra. U kanë vënë zjarrin banesave të saj, shulet e portave të tyre janë thyer.
31. Korrieri vrapon përballë korrierit dhe lajmëtari përballë lajmëtarit për t'i njoftuar mbretit të Babilonisë që qyteti i tij është marrë nga çdo anë;
32. vatë që mund të kalohen më këmbë janë zënë, kënetat janë në flakë dhe luftëtarët janë të tmerruar.
33. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Bija e Babilonisë është si një lëmë në kohën që shkelet; edhe pak dhe do të vijë për të koha e korrjes".
34. "Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, na ka gëlltitur, na ka shtypur, na ka katandisur si një enë bosh; na ka gëlltitur si një dragua, ka mbushur barkun e tij me ushqimet tona të shijshme, na ka përzënë.
35. Dhuna e ushtruar kundër meje dhe mishit tim rëntë mbi Babiloninë", do të thotë banori i Sionit. "Gjaku im rëntë mbi banorët e Kaldesë", do të thotë Jeruzalemi.
36. Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të mbroj çështjen tënde dhe do ta kryej hakmarrjen tënde. Do të bëj që të thahet deti i saj dhe të shterojë burimi i saj.
37. Babilonia do të bëhet një grumbull gërmadhash, një strehë për çakejtë, një objekt habie e talljeje, pa banorë.
38. Ata do të vrumbullijnë bashkë si luanë, do të skërmitin dhëmbët si këlyshët e luanit.
39. Kur të kenë vapë, do t'u jap të pijnë, do t'i deh që të kënaqen dhe të flenë një gjumë të përjetshëm, pa u zgjuar më", thotë Zoti.
40. Unë do t'i bëj të zbresin në kasaphanë si qengja, si desh bashkë me cjeptë.